Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë ka prekur familjen e saj, duke bërë që djali i saj i vogël të humbë interesimin e tij në preferencat e tij të mëhershme dhe që ai tani ka dëshirë të bëhet ushtar.
Në një intervistë ekskluzive të mërkurën për NBC News, Zelenska tha se ajo nuk mund të bëj që djali i saj 9-vjeçar të rikthehet të merret me art dhe aktivitete të tjera.
“Para Iuftës, djali im shkonte në kurse të vallëzimit. Ai luante me piano. Ai e mësoi gjuhën angleze”. Tani, thotë ajo: “gjëja e vetme që ai dëshiron të bëj janë artet marciale dhe se si të përdoret pushka”.
Zelenska kaloi disa ditë në ShBA duke u takuar me zyrtarë amerikanë, duke përsëritur lutjen e vendit të saj për më shumë armë për të zbrapsur pushtimin rus. Ajo u takua me liderë të Kongresit për të shtruar kërkesën në emër të burrit të saj, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, që ka mbetur në Ukrainë teksa vendi ka hyrë në muajin e pestë të Iuftës pas pushtimit rus.
Në mesazhin e saj drejtuar Kongresit, ajo foli për ankth, ndjenjën e frikës dhe shqetësimit ndaj luftës që ka tronditur ukrainasit dhe nënvizoi dëshirën e saj që fëmijët të gjejnë përsëri normalitetin.
“Kjo është ajo që unë dua të siguroj, që fëmijës tim t’i rikthehet fëmijëria dhe që ai të kënaqet me jetën e tij”, është shprehur ajo.